Bordi i Transparencës njoftoi përditësimin e çmimeve tavan për shitjen e nënprodukteve të naftës në tregun vendas, të cilat kanë hyrë në fuqi më 4 qershor 2026, në orën 15:30. Sipas vendimit, çmimet e reja maksimale për shitjen me pakicë dhe shumicë janë:
• Nafta (gazoil): 195 lekë/litër (me pakicë) dhe 183 lekë/litër (me shumicë).
• Benzina: 175 lekë/litër (me pakicë) dhe 163 lekë/litër (me shumicë).
Bordi bëri me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme. Operatorët e tregut janë të detyruar të zbatojnë këto shifra, ndërsa çdo shkelje e konstatuar do të ndëshkohet me pezullimin e aktivitetit.
Në njoftimin e tij, bordi sqaroi se çmimet janë vendosur në përputhje me metodologjinë përkatëse dhe se aktualisht ato qëndrojnë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet në masën 100%.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaruan se këto masa ndërmerren për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme në treg. Lidhur me gazoilin për peshkim, Bordi iu referua Ligjit 9975, datë 28.07.2008, mbi përjashtimet nga taksat kombëtare.
Përditësime
Bordi i Transparencës ka përditësuar çmimet tavan të karburanteve: nafta është shtrenjtuar me 4 lekë/litër, ndërsa benzina është liruar me 1 lekë/litër. Bordi sqaroi se mekanizmi i akcizës prej 80% aktivizohet vetëm nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose ai i benzinës 200 lekë/litër.
Bordi i Transparencës ka ulur çmimet tavan të karburanteve me 3 lekë për litër. Vendimi, që ka hyrë në fuqi më 5 qershor 2026, ora 13:00, përcakton çmimet si vijon: nafta 192 lekë/litër dhe benzina 172 lekë/litër.