Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka shprehur kritika të ashpra ndaj verdiktit të Gjykatës Speciale të shqiptuar ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të kryesuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Në një intervistë për KosovaPress, ai deklaroi se trupi gjykues dhe prokurorët kanë anashkaluar rrethanat e luftës dhe dëshmitë e ekspertëve ndërkombëtarë mbi mungesën e një strukture hierarkike në radhët e UÇK-së.
Sipas Bosch, pretendimet për koordinim janë të pabaza, pasi rreth 26 vjet më parë, teknologjia ishte e kufizuar dhe komunikimi me forcat në terren realizohej me vështirësi përmes telefonave satelitorë. Ish-diplomati pohoi se procesi gjyqësor duhet të kishte pushuar pasi hetimet e gjyqtarit John Williamson nuk gjetën prova për trafikim organesh, pretendim ky që sipas tij shërbeu si shkas për themelimin e kësaj gjykate.
Ndër të tjera, Bosch shprehu habi lidhur me faktin se si një gjykatë e Kosovës, e financuar nga evropianët, menaxhohet kryesisht nga gjyqtarë dhe prokurorë amerikanë. Duke e cilësuar vendimin si drakonik, ai vlerësoi se ekziston një mundësi për kapërcimin e kësaj situate përmes mekanizmave shtetërore të Kosovës. Bosch shtroi pyetjen nëse presidenti i ardhshëm i vendit, pas një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe VV-së, do të kishte kompetencën ligjore për t'i falur të dënuarit, duke argumentuar se një hap i tillë do të ishte logjik nëse gjykata bën pjesë në juridiksionin e Kosovës.