Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, u takua më 29 tetor me ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schübel. Bisedimet u përqendruan te zhvillimet në sektorin financiar dhe përgatitjet e Kosovës për aplikim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Ismaili e uroi Schübelin për marrjen e detyrës dhe falënderoi BE-në për mbështetjen në zhvillimin ekonomik e financiar të Kosovës, reformat institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane. Ai paraqiti zhvillimet në sektorin financiar dhe progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së, përparimin e kuadrit ligjor e rregullativ, forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale.
Një pjesë e takimit iu kushtua integrimit në SEPA dhe modernizimit të infrastrukturës së pagesave. Ismaili dhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha paraqitën progresin në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe teknike për aplikim. Këto përfshijnë ndryshime ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe masa kundër falsifikimit të parasë dhe për mbrojtjen e integritetit të euros.
Sipas BQK-së, institucioni është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të përmbyllur hapat e aplikimit pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), në bashkërendim me institucionet përkatëse të BE-së. Në takim u diskutua edhe projekti TIPS Clone, që synon zhvillimin e pagesave të shpejta dhe modernizimin e shërbimeve të pagesave, si dhe përafrimin e tyre me infrastrukturën evropiane.
Ismaili tha se integrimi në SEPA dhe përparimi drejt sistemeve evropiane të pagesave janë përparësi strategjike të BQK-së. Synimi është që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.
Palët diskutuan gjithashtu integritetin e sistemit financiar, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe zgjerimin e qasjes në shërbime financiare. Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e institucioneve të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore të Eurosistemit në zbatimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve të BQK-së. Schübel riafirmoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur reformat dhe integrimin evropian të Kosovës, përfshirë përgatitjet për anëtarësim në SEPA dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane. Në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin institucional.