Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka përcjellë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme britanike (FCDO), duke dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila përmendi "spastrimin etnik" të Kosovës.
Në reagimin e FCDO-së thuhet se këto deklarata janë "krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme". Sipas institucionit, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndarjet e vjetra dhe të nxisin tensione.
Londra u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që të refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa mëdyshje. Përveç dënimit të deklaratave, FCDO konfirmoi se ka vënë re edhe distancimin e presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, nga komentet e bëra prej ministres Paunoviq.
Përditësime
Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë serbe për shkarkimin e ministres Paunoviq është shtuar pas dënimit të deklaratave të saj nga Britania e Madhe. Zhvillimet e fundit përfshijnë:
• Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e menjëhershëm të ministres Paunoviq.
• Departamenti i Shtetit Amerikan ka bërë thirrje për përdorimin e gjuhës konstruktive dhe shmangien e retorikës nxitëse në procesin e normalizimit të raporteve.