Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq. Gjatë një interviste për "TV Kurir", Paunoviq deklaroi se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, mbajtur pas përfundimit të konferencës së anëtarësimit me Malin e Zi, Marta Kos deklaroi se është e tronditur nga kjo retorikë. Ajo theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, promovon ose madhëron spastrimin etnik. Sipas komisioneres, këto qëndrime bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, përgjegjësisë dhe fqinjësisë së mirë, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Sipas Kos, këto deklarata cenojnë detyrimet e Serbisë në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ajo shprehu shpresën se ky qëndrim është personal i ministres Paunoviq dhe nuk përfaqëson politikën zyrtare të Qeverisë së Serbisë. Kos u bëri thirrje udhëheqësve politikë të rajonit që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë në stabilitetin dhe ndërtimin e besimit mes shteteve.