Qeveria e Britanisë ka ndërmarrë një hap lehtësues për sektorin e mikpritjes, duke miratuar një shkurtim prej 20% të taksës së biznesit për pub-et, baret, klubet dhe hapësirat me muzikë live. Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë do të zbatohet duke filluar nga prilli i vitit të ardhshëm, me synim mbështetjen e bizneseve që konsiderohen jetike për komunitetet lokale.
Financimi i kësaj nisme, e cila kap vlerën e 100 milionë paundëve në vit, do të mbulohet përmes rishikimit të lehtësive fiskale që aktualisht gëzojnë aktivitete të kategorizuara si “anti-sociale”, siç janë dyqanet e cigareve elektronike (vape). Për më tepër, qeveria njoftoi se do të ashpërsojë kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë mallra në platforma online, por që shmangin përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Kryeministri Andy Burnham u shpreh se mbështetja për pub-et dhe rrugët tregtare është prioritare për administratën e tij, duke e cilësuar këtë vendim si fillimin e një serie masash lehtësuese. Ky ndërhyrje vjen në një periudhë kur sektori i mikpritjes përballet me presione të shtuara financiare, të shkaktuara nga rritja e pagës minimale dhe shtimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore që rëndojnë mbi punëdhënësit.