Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Johan Sattler, ka paralajmëruar shumicën parlamentare në Podgoricë se unioni do të ndërpresë çdo marrëdhënie me shtetin malazez nëse vazhdon fushata e çnjohjes së Kosovës nga kuvendet komunale.
Këto pretendime u bënë të ditura nga Milan Knezheviq, kryetar i Partisë Demokratike Popullore (DNP), përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale. Knezheviq, i cili njihet si nismëtar i fushatave të tilla, e kritikoi ashpër përfaqësuesin e Brukselit, duke e cilësuar qëndrimin e tij si një formë kontrolli mbi vendimmarrjen sovrane të Malit të Zi.
Sipas Knezheviq, pas vendimit për çnjohjen e Kosovës në Asamblenë Komunale të Plevljes, Sattler ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e shumicës parlamentare për të kërkuar garanci se nisma të tilla nuk do të përsëriten. Knezheviq pohoi se partia e tij, DNP, mbetet forca e vetme politike që refuzon të veprojë sipas udhëzimeve të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Në deklaratën e tij, lideri i DNP-së shprehu kritika ndaj subjekteve të tjera politike, duke pretenduar se ata i janë zotuar Sattlerit për ndalimin e fushatave të tilla. Ai gjithashtu iu referua figurave historike malazeze si Serdar Janko Vukotiq, Marko Milanov dhe Mbreti Nikola, për të vënë në pah qëndrimin e tij kundër ndikimit të burokratëve të BE-së në politikën e brendshme.
Përditësime
Kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, ka akuzuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Johann Sattler, për ndikim të tepruar në qeverisjen e Malit të Zi. Duke e ironizuar, Knezheviq e quajti Sattler-in 'Guvernator të Malit të Zi'. Ai gjithashtu deklaroi se shumica parlamentare është zotuar para diplomatit evropian se nuk do të ndërmarrë nisma për tërheqjen e njohjes së Kosovës.