Walid Saadaoui, 38 vjeç, dhe Ammar Hussein, 52 vjeç, u shpallën fajtorë nga gjykata britanike për planifikim të një sulmi terrorist të frymëzuar nga organizata ISIS kundër komunitetit hebre në Manchester. Dënimi u shqiptua së fundmi, ndërsa planet e tyre u penguan nga policia në maj të vitit 2024.
Sipas prokurorisë, dyshja kishte betuar besnikëri ndaj ISIS-it dhe synonte të vriste sa më shumë hebrenj duke përdorur armë automatike si kallashnikov ose AK-47. Plani parashikonte një sulm gjatë një marshimi kundër antisemitizmit në verën e 2024-ës, me mundësi vazhdimi në zona të tjera të qytetit. Prokurorët vlerësuan se numri i viktimave mund të kishte qenë më i lartë se ai i masakrës në Sidnei të Australisë, ku vdiqën 15 persona.
Sulmi u zbulua falë një bashkëpunëtori policor të fshehtë, të njohur si Farouk, i cili fitoi besimin e tyre dhe u shtir si furnizues armësh. Saadaoui dhe Hussein u arrestuan gjatë një operacioni në një parking hoteli në Bolton, ndërsa po shkonin të merrnin armë çaktivizuara. Hetimet nxorën në dritë llogari të rreme në Facebook të përdorura nga Saadaoui për të përhapur ide ekstremiste dhe mbledhur të dhëna mbi aktivitete të komunitetit hebre.
Të arrestuarit kishin kryer vëzhgime pranë shkollave, sinagogave dhe bizneseve hebraike në veri të Manchesterit. Saadaoui kishte hartuar edhe një testament, pasi planifikonte të vdiste si dëshmor. Dyshja kishte udhëtuar në Dover për të studiuar kontrabandën e armëve.
Në të njëjtin rast, vëllai i Walid Saadaoui-t, Bilel Saadaoui, 37 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg për fshehje të informacionit lidhur me aktet terroriste. Ai nuk kishte marrë pjesë në plan, por kishte pranuar para nga vëllai për të kujdesur familjen pas vdekjes së tij.