Një 23-vjeçar nga Unna, i cili ishte në përgatitje profesionale për të punuar në kompaninë hekurudhore Deutsche Bahn, është arrestuar në Gjermani nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist. Sipas gazetës gjermane BILD, ai dhe një 19-vjeçar nga Hagen dyshohet se gjatë shtatorit diskutuan mundësinë e kryerjes së një sulmi dhe sigurimin e armëve.
Sipas raportimeve, bëhej fjalë për dy pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), të cilat dyshohet se kishin planifikuar t’i siguronin për nga 1 000 euro secilën. Më 1 tetor, forcat speciale gjermane bastisën disa banesa në Unna dhe Hagen, por nuk gjetën armë. Sipas BILD-it, autoritetet e sigurisë i kishin mbikëqyrur dy të dyshuarit dhe kishin përgjuar bisedat e tyre.
Objektivi konkret i sulmit nuk dihet. Në diskutimet e raportuara dyshohet se u përmendën thika, vetura dhe armë zjarri si mjete të mundshme sulmi.
Prokuroria e Përgjithshme në Düsseldorf ka konfirmuar akuzën ndaj 23-vjeçarit, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes. Sipas informacioneve të raportuara, ai është shtetas gjerman dhe dyshohet se ishte konvertuar në Islam dhe ishte radikalizuar gjatë dhjetë muajve të fundit.
19-vjeçari Adnan R. nga Hagen, i cili ka shtetësi gjermane dhe kosovare, është gjithashtu nën dyshime, por nuk është dërguar në paraburgim, pasi autoritetet nuk kanë konstatuar arsye ligjore për këtë masë. Sipas raportimeve, ai mund të lirohet së shpejti.
Në kuadër të hetimeve janë përfshirë edhe dy shtetas sirianë, 20 dhe 24 vjeç. Deri më tani, ndaj tyre nuk është ngritur akuzë, pasi nuk janë siguruar prova për përfshirjen e tyre.