Autoritetet gjermane, përkatësisht Policia e Dortmundit dhe Prokuroria e Arnsbergut, kanë lëshuar një urdhër-arrest për dy shtetas, të dyshuar për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 19 shtator 2026, rreth orës 20:15–20:30, në qytetin Marsberg të landit Nordrhein-Westfalen.
Sipas hetimeve paraprake, përleshja përfshiu katër persona dhe eskaloi në një sulm me mjet të mprehtë. Një 15-vjeçar humbi jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa një 18-vjeçar pësoi lëndime të rënda në pjesën e fytyrës dhe u dërgua për trajtim spitalor. Përleshjes i ka paraprirë një konflikt verbal mes dy të dyshuarve dhe një grupi personash nga Marsbergu dhe Rütheni, pjesë e të cilit ishin edhe dy viktimat.
Dy të dyshuarit, Albin Bejtullahu nga Vushtrria dhe Alex Olntasi nga Greqia, të cilët banojnë në qytetin Hamm, ndodhen ende në arrati. Autoritetet kanë publikuar fotografitë e tyre dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione për vendndodhjen e tyre, të mos ndërmarrin veprime vetjake, por të njoftojnë policinë.
Ndonëse në disa media është përmendur se konflikti mund të ketë nisur për shkak të një borxhi prej 200 eurosh, ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organet e hetuesisë. Policia gjermane ka bërë të ditur se, aktualisht, nuk vlerësohet se ekziston ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit mbeten në vijim.
Përditësime
Dy të dyshuarit për vrasjen e një 15-vjeçari në Marsberg, Albin Bejtullahu (23) dhe Alex Olntasi (22), janë dorëzuar vullnetarisht në polici të martën mbrëma. Ngjarja tragjike ndodhi pranë një feste private në lagjen Essentho, ku viktima humbi jetën në vendngjarje pas goditjes me thikë. Autoritetet konfirmuan se të dyshuarit do të dalin para gjyqtarit të paraburgimit më 23 shtator për t'u përballur me akuzat.