Buxheti i shtetit mbledhi të paktën 3.3 milionë euro më shumë të ardhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) në muajin mars, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje erdhi nga shtrenjtimi i naftës, sipas të dhënave zyrtare të doganave.
Importet totale të naftës në mars rezultuan 53.6 mijë ton, me rritje 2.8% krahasuar me marsin e vitit paraardhës. Shtrenjtimi i çmimit të naftës në blerje çoi çmimin mesatar në tregun e pakicës në 200 lekë/l, nga 175 lekë/l në shkurt (+14.5%).
Të ardhurat nga TVSH mbi naftën, e mbledhura në doganë, arritën 1.93 miliardë lekë (+22%, ose +359 milionë lekë). Pasi përjashtohet efekti i rritjes së importeve (2.8%), të ardhurat shtesë vetëm nga shtrenjtimi llogariten rreth 320 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro.
Kjo shifër i përket vetëm TVSH-së të mbledhur në doganë, e llogaritur mbi çmimin e blerjes plus taksat: akciza 39.4 lekë/l dhe taksa e qarkullimit 27 lekë/l. Më pas, çmimit i shtohet shpenzimet e operimit dhe fitimi (minimalisht 5 lekë/l në shumicë dhe 18 lekë/l në pakicë), mbi të cilat aplikohet gjithashtu TVSH. Kështu, në çmimin final, vlerës së doganës i shtohet rreth 30%, duke e çuar totalin e TVSH-së shtesë në rreth 4.3 milionë euro.
TVSH është taksë mbi konsumin, e përfshirë në çmimin final të produkteve dhe shërbimeve. Ajo mblidhet dhe derdhet në shtet nga prodhuesi ose tregtuesi, por kalon te konsumatori përmes çmimit të paguar.
Sipas të dhënave të Bordit të Transparencës, bazuar në formulën e llogaritjes së çmimit, treguesi Platts – referencë për blerjen e naftës – arriti 1410 dollarë/ton në mars.