Në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, loti i dytë, është konstatuar çarje e theksuar e asfaltit dhe batisje e trasejsë në një segment mbi fshatin Malinë. Kjo situatë u vërejt pas reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit dhe shtrihet në më shumë se 20 metra gjatësi, duke krijuar rrezik për mjetet që qarkullojnë për shkak të pjerrësisë së madhe.
Zona ka pasur probleme të ngjashme më herët me rrëshqitje toke gjatë ndërtimit. Banorët, jashtë kamerave, kanë shprehur se shkaku lidhet me punën e dobët të firmës ndërtuese në tombinot e ujrave të shiut që vijnë nga mali. Në vendngjarje janë parë mjete të kompanisë Alb Building, e cila ka ndërtuar këtë lot, por nuk dihet ende për një zgjidhje përfundimtare.
Probleme të tjera janë evidentuar në dy segmente të tjera të aksit: pranë fshatit Trebinjë dhe shumë afër fshatit Zëmçë, ku janë regjistruar rrëshqitje dherash, lëvizje dhe çarje të asfaltit.
Përditësime
Qarkullimi në rrugën Qukës-Qafë Plloçë vazhdon vetëm në një korsi, ndërsa pjesa tjetër mbetet e bllokuar.
Firma kontraktore monitoron situatën.
Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësim dhe riparim.
Autoritetet u kërkojnë drejtuesve të automjeteve kujdes të shtuar.
- Kjo është shembja e dytë masive e asfaltit në rrugën Qukës–Qafë Plloçë që nga inaugurimi, e lidhur me terrenin argjilor dhe reshjet e shumta.
- Inxhinierët konfirmuan mungesën e segmenteve të tjera me rrezik të lartë.
- Autoritetet paralajmëruan një kontroll të plotë të lotit rrugor.