Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), priti një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të kryesuar nga drejtori për Evropë dhe Euroazi, Stephen Nix. Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u diskutuan bashkëpunimi mes partisë dhe institutit, forcimi i demokracisë dhe zhvillimi demokratik i partive politike dhe institucioneve në Kosovë.
Çitaku shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e IRI-së në forcimin e demokracisë së brendshme në PDK, si dhe në mbështetjen e zhvillimit demokratik të partive politike dhe institucioneve të Kosovës në përgjithësi.
Ajo tha se PDK-ja po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës do të zgjedhë lidershipin e ri dhe do të përgatitet për përgjegjësitë dhe sfidat e ardhshme politike.
Sipas PDK-së, Nix shprehu gatishmërinë e IRI-së për të vazhduar mbështetjen për proceset demokratike në Kosovë dhe më gjerë. Ai theksoi rëndësinë e institucioneve të qëndrueshme dhe të pjesëmarrjes aktive në jetën politike.
Çitaku ritheksoi se liria, pluralizmi politik, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia janë vlera të përbashkëta të PDK-së dhe IRI-së, të cilat, sipas saj, përbëjnë bazë për qëndrueshmërinë e demokracive liberale përballë sfidave globale.