Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për vitin 2025. Sipas të dhënave, çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 3,9 për qind krahasuar me vitin 2024. Publikimi përdor klasifikimin e ri COICOP 2018 me vit bazë 2025 = 100.
Rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga disa grupe të konsumit. Pije alkoolike, duhan dhe narkotikë shënuan rritjen më të lartë prej 7,6 për qind. Informacioni dhe komunikimi u rrit me 6,8 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme u rritën me 4,8 për qind.
Rritje u regjistrua edhe te veshjet dhe këpucët me 4,4 për qind, te mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 4,1 për qind, si dhe te strehimi, uji dhe energjia elektrike me 3,5 për qind. Ushqimi dhe pijet joalkoolike u rritën me 3,3 për qind. Rritje më të vogla u vërejtën te sigurimi dhe shërbimet financiare, shëndetësia, transporti dhe shërbimet arsimore.
Në disa kategori u shënua rënie e çmimeve. Restorantet dhe shërbimet e akomodimit regjistruan rënie prej 1,4 për qind, ndërsa rekreacioni, sporti dhe kultura u ulën me 1,1 për qind.