Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara po ndjekin nga afër zhvillimet politike në Kosovë dhe ka shprehur shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike. Një zëdhënës i këtij departamenti deklaroi për Radion Evropa e Lirë se "bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës".
Zëdhënësi theksoi se "ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës".
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 7 qershor. Këto zgjedhje u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave. Ndërkaq, partitë opozitare e fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për tentativë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.
Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj.