Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka publikuar një mesazh sensibilizues mbi rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve, duke theksuar se 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim. Përmes një postimi në rrjetin social X, institucioni ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen se humbja e habitateve dhe ndotja po rrezikojnë balancën natyrore, duke kërkuar mbrojtjen e tyre “përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh”.
Ky reagim përkon me protestat qytetare që po zhvillohen prej 9 ditësh në Tiranë, ku flamingoja është kthyer në simbolin kryesor të lëvizjes kundër zhvillimit të projekteve të ndërtimit në zonat e mbrojtura, siç është Zvërneci. Protestuesit kanë artikuluar kërkesa që përfshijnë anulimin e projekteve, duke i konsideruar ato si kërcënim për pasuritë natyrore.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të vijojë me zbatimin e planeve për turizmin në këto zona, pavarësisht kundërshtimeve. Tensionet rreth këtyre zhvillimeve u bënë të dukshme edhe kur ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u fotografua duke kaluar përmes turmës së qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë zhvillimit të një prej protestave të fundit.