Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta të regjistruara më 27 korrik kanë shkaktuar pasoja të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe sektorin e bujqësisë në Komunën e Rahovecit. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Behar Thaqi, bëri të ditur se dëmet e përgjithshme tejkalojnë shumën prej 400 mijë euro.
Sipas të dhënave zyrtare, erërat e forta të 27 korrikut kanë shkaktuar dëme në vlerë prej 100 mijë euro, ndërsa reshjet kanë shkaktuar humbje shtesë prej mbi 100 mijë euro për fermerët, si dhe dëme në infrastrukturën rrugore që arrijnë vlerën mbi 50 mijë euro. Sektorët më të goditur janë kulturat e specit, pjeprit dhe shalqirit.
Krahas ngjarjeve të fundit, Behar Thaqi rikujtoi dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 5, 6 dhe 7 janarit të këtij viti, të cilat sipas komisionit vlerësues arrijnë në 167 mijë euro. Lidhur me dëmet në infrastrukturën rrugore, drejtori vlerësoi se ato janë pasojë e sasisë së jashtëzakonshme të reshjeve dhe jo e cilësisë së punimeve, duke deklaruar se toka nuk ka mundur ta përballojë sasinë e madhe të shiut.
Institucionet komunale aktualisht janë duke bërë vetëm evidentimin e dëmeve. Behar Thaqi theksoi se procesi i kompensimit mbetet përgjegjësi e nivelit qendror, prandaj i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa mbështetëse për fermerët dhe bujqit e prekur nga këto fatkeqësi natyrore.