Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mbajti fjalën në prezantimin e gjetjeve të raportit të përvitshëm të monitorimit të 10 bashkive. Ai u ndal te besimi i qytetarëve te pushteti vendor dhe premtimet e kryebashkiakëve apo kandidatëve gjatë fushatave elektorale.
Sipas Demo, një qeverisje e shëndetshme vendore është e pamundur pa një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët. "Është shumë e rëndëishme që bashkitë të drejtojnë në mënyrë të shëndetshme territorin. Këtë nuk mund ta bëjnë pa pasur një marrëdhënie besimi me qytetarët. Është një fenomen që ka ndodhur në pjesën më të madhe të vendeve demokratike, ku ka ulje të besimit të qytetarëve kundrejt institucioneve. Kjo e bën punën edhe më të vështirë për një kryebashkiak nëse nuk ka këtë marrëdhënie besimi", u shpreh ai.
Demo theksoi se premtimet gjatë fushatave ndikojnë drejtpërdrejt në këtë besim. "Një element tjetër që është prekur nga ky projekt janë premtimet, të cilat kanë një peshë të caktuar kur flasim për besimin që krijohet me qytetarët. Nëse një kryetar bashkie, gjatë fushatës, hap thesin dhe premton lloj-lloj gjërash, në momentin që është në detyrë mbase e ka të pamundur të mbajë një pjesë të premtimeve, sepse nuk lidhen me autoritetin e vet. Në atë moment, marrëdhënia me qytetarin kriset", deklaroi ai.
Ministri shtoi se kandidatët shpesh i referohen kapaciteteve lobuese, por realiteti përballet me kufizime financiare dhe institucionale. Ai përmendi si shembull sfidën e furnizimit me ujë të pijshëm. "Ka problematika me të cilat përballen bashkitë, si për shembull uji i pijshëm. Asnjë bashki në vend nuk mund t’i japë përgjigje sfidës së furnizimit me ujë të pijshëm vetëm me buxhetin lokal, por vetëm përmes projekteve, lobimit dhe më pas financimit që vjen si rrjedhojë e programeve të qeverisjes vendore", theksoi Demo.