Mëngjesin e 10 shkurtit 2025, ekranet e televizioneve po transmetonin live kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke inspektuar një kopësht, ndërkohë që ai ndodhej në zyrën e tij me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të cilët i komunikuan masën e arrestit me burg për akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes së tij dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.
Një vit më pas, Veliaj vazhdon të jetë në qeli dhe në proces gjykimi, duke mbajtur ende postin e kryebashkiakut de jure. Këshilli i Ministrave tentoi ta shkarkojë, por Gjykata Kushtetuese rrëzoi këtë vendim. Veliaj mohon me forcë akuzat kundër tij dhe shihej më parë si politikan në ngjitje i Partisë Socialiste dhe imazhi i saj në pushtetin vendor.
Ai nuk është i vetmi. Që nga krijimi i Prokurorisë dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), 28 kryetarë aktualë bashkish apo ish-kryebashkiakë janë marrë nën hetim, janë të pandehur ose janë dënuar për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë në tendera apo falsifikimit.
Mes tyre, 25 janë përfaqësues të Partisë Socialiste në pushtet, ndërsa 4 përfaqësojnë partitë opozitare.
Për ekspertët e shoqërisë civile që monitorojnë qeverisjen vendore, numri i lartë i të zgjedhurve vendorë nën hetim nga SPAK tregon për një nivel të lartë korrupsioni apo klientelizmi në pushtetin lokal. Kjo ndikon te qytetarët dhe besimi i tyre tek institucionet vendore.
Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, deklaroi për BIRN se "numri i lartë i kryebashkiakëve nën hetim mund të lidhet me kombinimin e fuqisë së përqendruar lokale, mungesës së mekanizmave kontrolli dhe klientelizmit".
Raporti vjen nga BIRN, i cituar nga Lapsi.al, Panorama, Reporter.al dhe 27.al më 20 shkurt 2026.