Pas një hetimi të gjerë të zhvilluar nga ekipi Operation Costello i policisë britanike, më 10 shtator u shpallën dënimet për një rrjet të organizuar kriminal që shfrytëzonte prona për kultivimin e paligjshëm të kanabisit. Në qendër të kësaj skeme ishte agjencia imobiliare Condor Estates, drejtori i së cilës, Sarfraz Farooq, 46 vjeç, përdori pozicionin e tij për të siguruar ambiente dhe për të falsifikuar kontrata qiraje.
Autoritetet kontrolluan 20 prona gjatë vitit 2024, nga të cilat 19 ishin në Luton dhe një në Milton Keynes. Në 19 banesa u gjetën ambiente të përshtatura për kultivim, ndërsa në një tjetër u zbuluan pajisje hidroponike. Policia sekuestroi rreth 2,000 bimë, me një vlerë tregu të përllogaritur në 800 mijë paund, ndërsa prodhimi vjetor i mundshëm kapte vlerën e 2 milionë paundëve.
Në këtë aktivitet ishin të përfshirë edhe shtetas shqiptarë. Uan Gogu, 42 vjeç, i cili luajti një rol kryesor në instalimin e pajisjeve dhe ndërhyrjen e paligjshme në matësit e energjisë elektrike, u dënua me 6 vite e 6 muaj burg. Këto ndërhyrje në rrjetin elektrik shkaktuan zjarre në tri banesa. Gjithashtu, Glentjan Sefaj, 29 vjeç, u dënua me tetë muaj burgim të pezulluar për 18 muaj.
Të dënuar të tjerë janë:
• Zohaib Riaz Ali, 33 vjeç: 4 muaj burgim të pezulluar për 12 muaj.
• Mohammed Farooq, 76 vjeç: 9 muaj burgim të pezulluar për 12 muaj për pastrim parash.
Detektivi kryeinspektor Simon Mullan theksoi se operacioni goditi zinxhirin e plotë të krimit, nga sigurimi i pronave te falsifikimi i dokumenteve dhe mirëmbajtja e laboratorëve të drogës.
Përditësime
Gjykata e Luton Crown Court dha vendimin përfundimtar për kreun e organizatës, Sarfraz Farooq, drejtor i Condor Estates, duke e dënuar atë me 8 vite e 4 muaj burg. Në total, operacioni ndaj këtij rrjeti kriminal ka rezultuar me dënimin e 5 personave me mbi 14 vite burg në total. Gjithashtu, autoritetet saktësuan se shtetasi shqiptar i përfshirë në këtë aktivitet quhet Uran Gogu.
Hetimet zbuluan detaje të reja mbi rolin e Sarfraz Farooq, 46 vjeç, banues në St Catherines Avenue, Luton. Autoritetet konfirmuan se Farooq mashtroi pronarët e pronave, të cilët besonin se po nënshkruanin kontrata qiraje të ligjshme. Rrjeti kriminal operonte në 19 prona në Luton dhe 1 në Milton Keynes. Gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksionit si drejtor për Farooq.