Mëngjesin e kësaj të shtune, forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore të Policisë së Korçës, ndërmorën një operacion kërkimi për shtetasin Mihallaq Përgjika. Aksioni u përqendrua në një pallat në qytetin e Korçës, pas informacioneve se i kërkuari, i dënuar me 18 vite burg për vrasje, mund të fshihej aty.
Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, kërkoi mbështetjen e forcave speciale për shkak të rrezikshmërisë së lartë të personit, me qëllim shmangien e çdo incidenti të mundshëm gjatë ndërhyrjes. Sipas të dhënave, Mihallaq Përgjika kishte qëndruar për një periudhë kohe jashtë shtetit dhe ishte rikthyer së fundmi në qytet.
Pas kontrolleve të imtësishme në vendin e dyshuar, forcat policore nuk arritën të gjenin dhe të arrestonin personin e kërkuar. Autoritetet njoftuan se operacioni për lokalizimin dhe vënien para drejtësisë të të dënuarit do të vijojë në ditët në vazhdim.
Përditësime
Autoritetet zbardhën detaje mbi dënimin e Mihallaq Petrika Përgjikës, i datëlindjes 3 dhjetor 1981. Hetimet konfirmuan se Përgjika është dënuar për vrasjen e Pëllumb Çollakut, 24 vjeç, ngjarje e ndodhur në vitin 2008. Viktima u gjet e vrarë në aksin Korçë-Voskopojë, ndërsa motivi i krimit lidhet me pazare të paligjshme droge.
Detajet e reja mbi dosjen e Mihallaq Përgjikës zbardhin historikun e gjatë të këtij rasti. Përgjika është dënuar nga gjykata edhe për veprën penale 'Mbajtje pa leje të armëve', përveç dënimit për vrasjen e Pëllumb Çollakut. Policia e identifikoi Përgjikën si autor të dyshuar në qershor të vitit 2009, pak muaj pasi trupi i pajetë i Çollakut u gjet më 3 janar 2009, pas denoncimit për zhdukjen e tij më 26 dhjetor 2008. Gjatë periudhës 2020-2021, autoritetet kishin informacione se i kërkuari fshihej në Belgjikë.