Sipas të dhënave nga dosja hetimore, operacioni për kapjen e Violand Braçellarit nisi në orët e para të mëngjesit të datës 4 qershor 2026. Shefi i Komisariatit të Policisë Maliq kishte kërkuar ndihmën e një shtetasi me iniciale A.K., i cili ushtron detyrën e çobanit, për të shërbyer si udhërrëfyes drejt vendndodhjes së personit në kërkim.
Në orën 05:00, punonjësit e policisë i dorëzuan A.K.-së një maskë dhe një bluzë me mbishkrimin "POLICIA". Pas pajisjes, ai u bashkua me efektivët në një automjet tip foristradë. Në operacion morën pjesë gjithsej 5 automjete:
- 1 foristradë e bardhë
- 2 foristrada gri
- 1 fugon policie
- 1 Range-Rover i bardhë
Forcat policore mbërritën pranë stanit ku ndodhej Violand Braçellari rreth orës 06:30-07:00. Automjetet ndaluan në një distancë prej 100-200 metrash dhe efektivët u pajisën me jelekë antiplumb dhe armë automatike. Në vendngjarje ishin të pranishëm katër drejtues që organizuan shpërndarjen e forcave në grupe prej 4 personash. Një prej drejtuesve, i përshkruar si person me trup mesatar dhe qeros, urdhëroi efektivët të ruanin heshtjen. Pas hyrjes së forcave në zonën e kontrollit, dëshmitari ka deklaruar se ka dëgjuar thirrjet për dorëzim, të pasuara nga të shtëna armësh.