Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ka publikuar një shkrim për xhudisten kosovare Distria Krasniqi pas fitores së saj në Grand Slamin e Parisit.
30-vjeçarja thekson se nuk sheh ende fundin e karrierës së saj. “Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultate të mëdha. Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka deklaruar ajo.
Synimi i madh i ardhshëm për Distrinë janë Lojërat Olimpike Los Angeles 2028. Ajo bën të ditur se vetëm pas këtij edicioni mund të mendojë për tërheqjen nga sporti elitar. Deri atëherë, po e shijon çdo garë dhe çdo kamp stërvitor, duke synuar të nxjerrë maksimumin nga dy-tre vitet e fundit në nivelin më të lartë të xhudos botërore.
Në karrierën e saj, Krasniqi ka fituar pothuajse të gjitha medaljet e mundshme, me përjashtim të titullit të kampiones së botës. “Është një prej synimeve që të jem kampione e botës. Por nuk është synimi kryesor. Edhe nëse nuk do të bëhem asnjëherë kampione e botës, nuk është se do të jetë diçka e keqe. E kam fituar titullin te junioret, ndërsa titulli më i vlefshëm është ai olimpik”, ka thënë ajo.
Një objektiv personal tjetër është fitore ndaj japonezes Uta Abe, ndonëse nuk e ka si fokus kryesor. Distria vlerëson se në ditën e saj më të mirë mund të mposhtë çdo kundërshtare dhe e konsideron veten si sfidën më të madhe.
Sukseset e deritashme i atribuon bashkëpunimit afatgjatë me trajnerin Driton Kuka. “Ekipi i trajnerëve ka ndikim shumë të madh. Jemi vend i vogël dhe në fillim nuk i kishim ato që të gjitha vendet e mëdha i kishin. Por kemi provuar të bëjmë rezultate me gjërat që kishim. Tani është më mirë dhe vazhdojmë të kemi rezultate. Trajneri është pjesë e madhe e gjithë kësaj. Raporti është më shumë si në familje”, ka shtuar ajo.