Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se rinumërimi i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat është i pashmangshëm, pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e tyre.
Në një reagim të publikuar një javë pas gjetjeve të para, DnV thekson se shmangia e këtij rinumërimi në nivel vendi thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor. Devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në vendvotimet e përfshira në mostrën 10%. Kjo tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se rinumërimet selektive nuk mund të vlerësojnë saktë përmasën reale të shtrembërimit të votës së kandidatëve.
Sipas DnV-së, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm rinumërimi i plotë siguron reflektimin e saktë të vullnetit të votuesve dhe eliminon vendvotimet e paverifikuara, që mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve. Kjo është mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe mbylljen e dilemave mbi legjitimitetin e rezultateve.
Paralelisht, DnV vlerëson se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë çështjen me prioritet dhe qasje të koordinuar. Hetimi gjithëpërfshirës në nivel vendi do të sqarojë përgjegjësitë individuale dhe do të identifikojë modelet e mundshme të veprimeve të koordinuara. Në veçanti, hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të numërimit, duke përfshirë kandidatët për shkak të modeleve të përsëritura të devijimeve në favor të tyre brenda dhe nëpër komuna të caktuara.