Dogana e Kosovës ka sqaruar procedurat për vlerësimin e pajisjeve elektronike që udhëtarët sjellin nga jashtë vendit. Sipas njoftimit zyrtar, pajisjet vlerësohen bazuar në rregullat që zbatohen për bagazhin personal dhe importet jo-tregtare.
Institucioni thekson se një pajisje e sjellë për përdorim personal nuk trajtohet njësoj si një sasi pajisjesh që, për shkak të natyrës, sasisë ose karakteristikave të tyre, mund të tregojnë qëllim tregtar. Në rastet kur nuk plotësohen kushtet për lirimin nga detyrimet, ose kur mallrat janë të destinuara për qëllim tregtar, udhëtarët obligohen të ndjekin procedurat përkatëse doganore dhe të paguajnë detyrimet e kërkuara.
Kufijtë e lirimit të përgjithshëm për bagazhin janë përcaktuar si më poshtë:
• 300 euro për trafikun rrugor;
• 430 euro për trafikun ajror;
• 300 euro për trafikun hekurudhor;
• 150 euro për udhëtarët nën moshën 15 vjeç.
Baza ligjore për këto rregulla mbështetet në Kodin Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, përkatësisht në nenet 392–394 të tij. Dogana ka bërë thirrje për respektimin e këtyre procedurave për të shmangur vonesat ose penalitetet gjatë kontrollit në kufi.