Gjatë një kontrolli të detajuar në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, autoritetet doganore kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara, të cilat ishin fshehur në një automjet të tipit Shkoda Superb. Automjeti, i cili mbante targa të Maqedonisë së Veriut, drejtohej nga një shtetas i këtij vendi.
Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, ngjarja është evidentuar më 3 tetor 2026. Kur zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë e kanë pyetur drejtuesin e automjetit nëse kishte ndonjë gjë për të deklaruar, ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Pas kontrollit të imtësishëm, zyrtarët gjetën 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas.
Pas konvertimit të shumës totale në euro, vlera e mjeteve të padeklaruara rezultoi të ishte 13.353,98 euro. Mjetet monetare janë konfiskuar nga autoritetet doganore për shkak të shkeljes së legjislacionit në fuqi. Dogana e Kosovës ka rikujtuar se, bazuar në nenin 33, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo udhëtar që hyn ose del nga vendi është i detyruar të deklarojë shumat monetare prej 10.000 eurosh ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera.