Në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, zyrtarët e Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare. Rasti u evidentua gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, kur një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët u paraqit për kontroll. Drejtuesi i automjetit, shtetas i Republikës së Kosovës, deklaroi para autoriteteve se nuk posedonte asnjë mall apo shumë monetare për të paraqitur.
Pas një analize të rrezikut, autoritetet kryen një kontroll të detajuar të automjetit. Gjatë këtij kontrolli, u gjetën gjithsej 30,000 euro të fshehura, të ndara në dollapin e kamionit dhe në jastëkun e shoferit. Kartëmonedhat ishin të prerjeve 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo udhëtar që transporton një vlerë prej 10,000 euro apo më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore gjatë hyrjes ose daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës njoftoi se po vazhdon të zbatojë me përkushtim legjislacionin doganor për mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe parandalimin e shkeljeve përmes kontrolleve efektive dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.