Njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një kontroll në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku kanë përzgjedhur për verifikim një automjet. Gjatë këtij kontrolli, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mjete monetare në vlerën prej 30,000 eurosh, të cilat nuk ishin raportuar në përputhje me rregullat në fuqi.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo udhëtar që kalon kufirin, në hyrje ose dalje, ka për detyrim ligjor të deklarojë me shkrim çdo shumë që arrin ose tejkalon 10,000 euro, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera. Kjo masë mbështetet në nenin 33, paragrafin 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Deklarimi duhet të përfshijë shumën e saktë dhe burimin e verifikueshëm të mjeteve monetare.
Institucioni doganor theksoi se do të vijojë angazhimin e pandërprerë për parandalimin dhe luftimin e çdo forme të kontrabandës dhe qarkullimit të paligjshëm të mjeteve monetare nëpër pikat kufitare të vendit.