Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar drejt Budvës së Malit të Zi, ku më 5 dhe 6 nëntor merr pjesë në Forumin Ministerial BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme. Ajo është ftuar nga Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Forumi mbledh ministrat e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta.
Në sesionin për drejtësi, ministrat do të diskutojnë rolin e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e proceseve zgjedhore të lira, gjithëpërfshirëse dhe transparente.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve do t’i kushtohet mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, veçanërisht fëmijëve viktima të veprave penale dhe ndëshkimit ligjor të të gjitha formave të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Sipas Telegrafit, forumi synon gjithashtu të shërbejë si platformë për koordinimin e politikave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e drejtësisë dhe sigurisë së brendshme.