Emisioni "Në Shënjestër" publikoi të martën të dhëna nga dosja hetimore e SPAK-ut, sipas të cilave dy efektivë policie bënin pjesë në organizatën kriminale të drejtuar nga Inez Hajrulla.
Njëri prej tyre është Rezart Kuçi, i cili vazhdon të kryejë detyrën si shef i seksionit në Policinë Shkencore në Kukës. Gjatë periudhës së trafikimit, ai ka qenë shef i hetimit të krimeve në Vlorë dhe ka poseduar mjete lundruese.
Kuçi është identifikuar si porositës dhe posedues i 400 kg kokainë, të trafikuara nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020. Ngarkesa u sekuestrua nga autoritetet gjermane. Porosia u bë në bashkëpunim me Arben Memishaj, të shpallur në kërkim, dhe anëtarë të tjerë të grupit.
Oficeri ka ndihmuar grupin duke siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, duke nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollin policor, duke ndërhyrë në pajisje celulare për të fshirë të dhëna hetimore dhe duke përdorur sistemin TIMS për interesa kriminale.
Më parë, Kuçi ka mbajtur detyra në Drejtorinë Vendore të Policisë në Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës.
Hetimi i SPAK-ut nisi në vitin 2022 kundër këtij grupi të strukturuar, i cili urdhëronte vrasje, me Inez Hajrulla në krye. Grupi bashkëpunohej edhe me Matodashaj.