Për shkak të fluksit të shtuar të turistëve dhe udhëtarëve gjatë sezonit veror, DPSHTRR ka ndërmarrë një fushatë intensive në terren për promovimin e platformës eTransport. Drejtori i përgjithshëm i institucionit, Kreshnik Bajraktari, së bashku me ekipet teknike, kanë vizituar portat kryesore hyrëse të vendit për të informuar qytetarët, turistët dhe operatorët e transportit mbi avantazhet dhe mënyrën e përdorimit të këtij shërbimi.
Platforma shërben si një kanal digjital i centralizuar, i cili ofron të dhëna mbi linjat dhe itineraret e transportit publik interurban. Gjatë takimeve në Portin e Durrësit, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe në portet e Vlorës e Sarandës, përfaqësuesit e institucionit kanë dëgjuar sugjerimet e përdoruesve për të përmirësuar më tej funksionalitetin dhe lehtësinë e aksesit.
Fushata pritet të vijojë gjatë gjithë sezonit veror, duke u shtrirë edhe në pika të tjera turistike dhe kulturore, me synim përmirësimin e përvojës së udhëtimit për vizitorët dhe vendasit.