Drafti i ri i ligjit 'Për sektorin e energjisë elektrike' rikthen në vëmendje temën e matësve inteligjentë të energjisë. Në nenin 91 parashikohet një analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve para vendosjes së tyre në shkallë të gjerë.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të përcaktojë rregullat teknike të sistemit. Operatori i shpërndarjes do të vlerësojë leverdishmërinë ekonomike të investimit.
Nëse analiza del pozitive, do të nisë një plan 10-vjeçar për instalim. Të paktën 80% e klientëve fundorë duhet të pajisen me matës inteligjentë brenda 7 vitesh nga data e vlerësimit.
Kostot e projektit do të shpërndahen gradualisht nëpërmjet tarifave të rrjetit. ERE do të sigurojë kontribut transparent dhe jodiskriminues nga konsumatorët, duke marrë parasysh përfitimet për zinxhirin e vlerës. Gjithashtu, do të monitorojë nëse konsumatorët përfitojnë realisht nga sistemi.
Rast negativ dhe alternativa
Nëse analiza rezulton negative, instalimi masiv nuk do të zbatohet. Çdo klient fundor mund të kërkojë matës inteligjent për përdorim personal, duke paguar vetë koston.
Rivlerësimi i situatës do të bëhet çdo 4 vjet, në varësi të zhvillimeve teknologjike dhe tregu.
Matësit aktualë
Matësit ekzistues do të vazhdojnë të përdoren vetëm nëse plotësojnë kërkesat teknike të reja. Pajisjet që nuk i përmbushin standardet do të zëvendësohen deri në vitin 2031.