Dubai ishte pothuajse i panjohur të dielën, në një fundjavë dimërore që është sezoni kulmor turistik. Plazhet, qendrat tregtare dhe brunch-et e hoteleve zakonisht janë plot, por autostradat ishin kryesisht të zbrazëta dhe qielli pa fluksin e avionëve. Dubai Marina, e mbushur zakonisht me jahte dhe festa në varka, qëndronte e qetë.
Për shumë banorë, situata kujtonte izolimet e Covid-19 gjashtë vjet më parë, kur një nga nyjet kryesore të tranzitit në botë heshti papritur. Shkollat në qytet kaluan në mësim online dhe familjet po qëndrojnë brenda, raporton CNN. “Ndjehet si ditët e Covid-it. Qetë, me diell, zogjtë cicërojnë dhe nuk ka zhurmë trafiku apo avionësh që fluturojnë”, tha Paul Devitt, videograf i CNN në Abu Dhabi.
Disa banorë kryen blerje të shpejta në supermarkete për t’u furnizuar, ndërsa aplikacionet e dërgesave ushqimore raportuan vonesa për shkak të kërkesës së lartë. Në lagje që zakonisht janë të gjalla deri vonë në mbrëmje, rrugët ishin bosh.
Me hapësirën ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe të mbyllur, disa persona udhëtuan me automjete drejt zonave më të qeta të vendit. Në Hatta, pranë kufirit me Omanin, një hotel shndërroi një sallë konferencash në strehë të improvizuar për turistët që kishin lëshuar dhomat, por nuk mund të fluturonin. Disa mysafirë thanë se po zhvendosnin familjet larg pjesëve të sulmuara të Dubait. Të tjerë kaluan në Oman me rrugë tokësore, fillimisht i vetmi vend në rajon i paprekur nga sulmet e së shtunës. Megjithatë, autoritetet omane njoftuan se dy dronë kishin shënjestruar një port të dielën.
Dubai, qytet i njohur për sigurinë dhe stabilitetin, nuk ka strehimore publike kundër bombardimeve. Shumë banorë kaluan natën e së shtunës në parkingje nëntokësore. Prindërit u përpoqën të mbrojnë fëmijët nga realiteti i shpërthimeve mbi kokë. Një burim raporton një të vrarë dhe 11 të plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dhabin.