Sonila Sherifi, shqiptare që jeton prej 11 vitesh në Dubai, ka rrëfyer për Top Channel si ka përjetuar sulmin me raketa nga Irani në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prej më shumë se një dekade në Dubai jeton dhe punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, rreth 1.500 persona.
Sherifi e cilëson sulmin si të papritur, pasi Dubai konsiderohet një nga vendet më të sigurta në botë.
"Realisht ka qenë e papritur për të gjithë ne", thotë ajo, duke shtuar se qeveria lokale ka dhënë mbështetje të pafundme dhe update të vazhdueshme nga burimet zyrtare.
Këto komunikime kanë konfirmuar se situata është nën kontrollin e sigurisë më të lartë, çka ka lehtësuar tensionin.
Si prindëre, shqetësimi kryesor ka qenë për fëmijët, por komuniteti ka qenë relativisht i qetë.
"Këto janë situata jo fort të lehta për t'u përballuar, sidomos kur jeton në një vend kaq të sigurt", nënvizon Sherifi.
Autoritetet e Dubait kanë dhënë këshilla specifike:
- Të qëndrojnë sa më gjatë në ambiente të mbyllura, si shtëpi apo qendra tregtare;
- Të evitojnë zonat me mbetje raketash, të cilat janë kundërsulmuar nga mbrojtja ajrore dhe dronët e Dubait, duke parandaluar sulmet e drejtpërdrejta.
Këto mbeturina ndodhen në zona të caktuara nën vëzhgimin e autoriteteve.
Të dielën, autoritetet kanë dërguar njoftime emergjente në telefonat celulare: "Për shkak të situatës aktuale dhe një kërcënimi të mundshëm me raketa, kërkoni strehim të menjëhershëm në ndërtesën më të afërt të sigurt dhe shmanguni dritareve, dyerve dhe zonave të hapura".