Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), prezantoi të hënën strategjinë e re të zhvillimit "Vision to Victory 2026-2030" në një event të zhvilluar në Shtëpinë e Futbollit. Kjo strategji u përgatit në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë dhe synon ndryshime cilësore në futbollin shqiptar për katër vitet e ardhshme.
Duka bëri bilancin e strategjisë së mëparshme "Futbolli për Kombin 2022-2025", duke theksuar se rreth 95% e objektivave janë realizuar ose ndodhen në fazë të avancuar zbatimi. Ai e cilësoi këtë periudhë si bazë të fortë për hapin e radhës.
Strategjia e re është e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur me realitetin e futbollit shqiptar. Ajo vendos objektiva të qarta në fusha si pjesëmarrja, performanca, infrastruktura, edukimi dhe qeverisja.
Objektivat kryesore
- Rritja e numrit të futbollistëve djem të regjistruar nga 24.078 në 26 mijë deri në 2030, pavarësisht sfidave demografike, përmes zgjerimit të programeve në shkolla, komunitete, forcimit të shoqatave rajonale dhe mbështetjes së klubeve për moshat e vogla.
- Shtimi i 30 deri në 40 fushave të reja nga FSHF, kryesisht në rajonin e Tiranës; në rang kombëtar synohet ndërtimi i 200 fushave të reja me mbështetje nga buxheti i shtetit.
- Forcimi i strukturave organizative, investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe formimi i talenteve të rinj.
Në event morën pjesë Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, presidentë dhe përfaqësues të klubeve, drejtues të shoqatave rajonale të futbollit, ish-futbollistë, sponsorë, organizata partnere dhe media.
Përditësime
Duka deklaroi: "Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar."
Strategjia Vision to Victory 2026-2030 ka sloganin 'Ta kthejmë së bashku vizionin në fitore'.
Armando Duka detajoi shtatë shtyllat kryesore të strategjisë "Vision to Victory 2026-2030" për futbollin shqiptar:
- Hyrja në fushë;
- Talenti elitar;
- Ndërtimi i lojës;
- Edukimi përtej fushës;
- Promovimi i pasionit dhe qëllimit;
- Nxitja e investimeve;
- Një organizatë e shkëlqyer.
Projekte specifike 'Uniforma Ime' dhe 'Topi YT' krijojnë bazën për rritjen e pjesëmarrjes.
Armand Duka detajoi objektivat specifike të strategjisë "Vision to Victory 2026-2030".
- Pjesëmarrje në finalet e Europianit ose Botërorit për ekipin A të djemve.
- Kalimi i fazës së grupeve për U-21 në Euro 2027.
- Pjesëmarrje në Ligën B dhe kualifikim në Europianin 2029 për ekipin e vajzave.
Zgjedhjet për president të FSHF mbahen më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në Shtëpinë e Futbollit.
Duka e quajti strategjinë "plan veprimi" dhe theksoi rëndësinë vendimtare të katër viteve të ardhshme.