Ditën e sotme janë regjistruar dy aksidente rrugore në Pogradec, të cilat kanë pasur si pasojë humbjen e jetës së një drejtuesi mjeti dhe plagosjen e një tjetri.
Aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën e re të Qafë Plloçës, ku automjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore. Drejtuesi i mjetit është transportuar në Spitalin e Pogradecit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak për këtë ngjarje është bërë përgjumja e drejtuesit.
Ndërkohë, një aksident i dytë është shënuar në aksin Pogradec-Qafë Thanë. Në këtë rast, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore, duke shkaktuar humbjen e jetës së drejtuesit të mjetit.
Forcat e Policisë kanë mbërritur në të dyja vendngjarjet për të kryer hetimet dhe për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjeve.