Dy ditë para përfundimit të afatit të dorëzimit të aplikimeve për garën e postit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, mësohen emrat e disa oficerëve të policisë që kandidojnë.
Ndër kandidatët e konfirmuar është Pëllumb Seferi, oficer me 28 vite karrierë në polici. Ai mban postin e drejtorit të Shoqatës së Studentëve Europianë që diplomohen nga FBI në SHBA, si dhe drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Për të njëjtin post kandidon edhe Elidon Çela, drejtor aktual i Policisë së Vlorës, me 25 vite karrierë.
Një tjetër emër është Afrim Tafa, drejtor i Policisë së Durrësit. Po ashtu, kanë aplikuar oficerët Lutfi Minxhozi dhe Idajet Faskaj.
Në dy ditët e mbetura pritet të kandidojnë edhe emra të përfolur pas hapjes së garës, si Tonin Vocaj dhe Skënder Hitaj, drejtor aktual i Policisë së Fierit.