Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është nisur skriningu neonatal nga tetori i vitit të kaluar. Ky testim i hershëm kryhet me një pikë gjaku të marrë nga thembra e foshnjës dhe synon zbulimin e pesë sëmundjeve të rënda që nuk shfaqen menjëherë pas lindjes.
Deri tani janë testuar mbi 2000 foshnje, nga të cilat dy kanë rezultuar pozitive për fibrozë cistike. Mes 14 rasteve të dyshimta, këto dy foshnje po trajtohen herët për të parandaluar komplikimet. Testi identifikon gjithashtu fenilketonurinë, galaktozeminë dhe hipotiroidizmin kongjenital në Klinikën e Neonatologjisë, ndërsa për atrofinë spinale muskulare analizat pritet të fillojnë së shpejti në Klinikën e Mikrobiologjisë.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, shpjegon se metoda është e sofistikuar dhe bën diferencën mes një foshnje të shëndetshme dhe një të sëmurë. "Përmes një pike gjaku, ne detektojmë pesë sëmundje që kanë potencial të rëndë klinik kur shfaqen shenjat. Kemi detektim të hershëm, parandalim të pasojave, trajtim të hershëm dhe rezultate të mira, që përmirësojnë cilësinë e jetës së foshnjës", deklaroi ai për KosovaPress.
Në periudhën janar-mars 2026, në laboratorin citogjenetik dhe të biokimisë janë kryer 1234 testime. Aktualisht, testimet bëhen vetëm në Klinikën e Neonatologjisë pranë QKUK-së, por pritet të zgjerohen në spitalet regjionale.