Dy granata mortajash të kalibrit 75 mm, të mbetura nga Lufta e Parë Botërore, u gjetën gjatë punimeve për ndërtimin e autostradës Manastir–Prilep. Ato u zbuluan në lokalitetin Karakli, pranë fshatit Alincë, në Komunën e Prilepit, dhe u larguan në mënyrë të sigurt nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).
Pirotekniku i DMSH-së, Gjorgji Stefanov, i largoi granatat dje pasdite, në përputhje me procedurat standarde për mjetet e pashpërthyera. Fillimisht, vendi ku u gjetën u shënua dhe një person i specializuar kontrolloi lokacionin dhe zonën përreth për të verifikuar nëse kishte mjete të tjera të pashpërthyera. Granatat u vendosën në deponi dhe do të shkatërrohen në mënyrë të planifikuar e të sigurt në një lokacion të përshtatshëm, në poligon.
DMSH-ja rikujtoi se mjetet e pashpërthyera nuk duhen prekur, zhvendosur apo manipuluar. Pas gjetjes së një mjeti të tillë, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet përmes numrit pa pagesë 112, në Qendrën për Menaxhim me Kriza, ose përmes stacionit më të afërt policor, në numrin 192. Pas sigurimit të vendit, largimin dhe shkatërrimin e mjeteve e kryejnë piroteknikë të autorizuar të DMSH-së.
Sipas DMSH-së, granata mortajash të pashpërthyera të kalibrit 75 mm dhe mjete të tjera shpërthyese të mbetura nga Lufta e Parë Botërore gjenden shpesh në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në rajonet ku kalonte Fronti i Maqedonisë, i njohur edhe si Fronti i Selanikut. Ato zbulohen gjatë punimeve bujqësore, gërmimeve dhe ndërtimeve, si edhe gjatë shëtitjeve në natyrë në zonat ku janë zhvilluar luftime.