Dy ngjarje të rënda janë regjistruar gjatë orëve të natës në qarkun e Lezhës, ku autoritetet policore, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Incidentet ndodhën në fshatin Shënkoll dhe në qytetin e Laçit.
Në fshatin Shënkoll, rreth orës 04:00, në portën e murit rrethues të banesës së 73-vjeçarit Mark Deda, shpërtheu një sasi e vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të lënduar.
Ndërkohë, në Laç, rreth orës 23:55, 28-vjeçari Sierdi Kolziu ka kallëzuar në polici se, teksa po lëvizte në këmbë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Grupet hetimore po punojnë për dokumentimin e plotë të të dyja rasteve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë dhe ruajtje të anonimatit.