Një incident i rëndë është regjistruar mesditën e 3 majit 2026 në burgun e Nigritës në Greqi, ku dy të burgosur kanë humbin jetën pas një përleshjeje të dhunshme.
Viktimat janë një i burgosur palestinez dhe një tjetër nga Iraku. Njëri prej tyre ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa i dyti u transportua me urgjencë në spital, ku nuk arriti të mbijetojë plagëve.
Përleshja shpërtheu në qelitë disiplinore të burgut dhe përfshiu rreth dhjetë të burgosur, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve. Oficerët e burgut ndërhynë menjëherë për të neutralizuar konfliktin dhe për të dhënë ndihmën e parë të plagosurve.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkaqet e përleshjes apo marrëdhëniet mes personave të përfshirë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.