Në zonat e Tënës dhe Kodër Rrëshenit, në bashkinë Mirditë, janë shfaqur dy vatra të mëdha zjarri, të cilat po përhapen me shpejtësi. Situata është përkeqësuar si pasojë e temperaturave të larta dhe bimësisë së dendur në këtë zonë, duke krijuar rrezik për banesat përreth.
Si masë paraprake për sigurinë e banorëve, strukturat e emergjencës kanë njoftuar evakuimin e 4 familjeve që ndodheshin pranë zonave të rrezikuara. Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për vënien e flakëve nën kontroll. Autoritetet vendore bëjnë me dije se situata mbetet e vështirë dhe nuk përjashtohet mundësia e evakuimeve të mëtejshme, në varësi të drejtimit dhe intensitetit të përhapjes së zjarrit.
Ndërkohë, vijon monitorimi i terrenit nga ekipet e emergjencës, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi sipërfaqen e përfshirë nga zjarri ose shkaqet që çuan në aktivizimin e këtyre vatrave.
Përditësime
Autoritetet kanë nisur ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit në Mirditë. Operacioni në terren është zgjeruar me angazhimin e forcave shtesë ndihmëse, të cilat po mbështesin shërbimet zjarrfikëse në operacionin e kontrollit të flakëve.