Dy vatra të ndara zjarri janë aktive në qarkun e Vlorës, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Në zonën e Kriporës, pranë fshatit Panaja, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe shkurre. Situata në këtë zonë përshkruhet si e rënduar, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionin për marrjen e flakëve nën kontroll.
Njëkohësisht, një tjetër vatër zjarri është evidentuar në kodrat e fshatit Kot, në bashkinë Selenicë. Përveç bimësisë, zjarri në këtë zonë ka prekur edhe sipërfaqe me ullishte. Puna e zjarrfikësve të Selenicës po ndeshet me vështirësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, të cilat favorizojnë përparimin e shpejtë të flakëve në terren.
Përditësime
Forcat zjarrfikëse të Vlorës kanë nisur ndërhyrjen shtesë në fshatin Kotë, Selenicë, për të frenuar përhapjen e flakëve. Pavarësisht afrimit të zjarrit pranë banesave, autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për objektet. Terreni i thepisur po e vështirëson operacionin e ekipeve në terren.