Vala e nxehtësisë që ka përfshirë Evropën në fund të qershorit ka shkaktuar dy viktima në qytetin e Gjenovës, në Itali. Sipas njoftimit zyrtar nga autoriteti lokal shëndetësor ASL, të dy personat ishin të shtruar në poliklinikën San Martino.
Detajet mjekësore bëjnë me dije se 86-vjeçari ishte shtruar dy ditë më parë në gjendje kritike, si pasojë e temperaturës së lartë dhe dehidratimit të rëndë. Ndërkaq, 74-vjeçarja u dërgua në spital mëngjesin e sotëm pas një arresti kardiak, ku mjekët konstatuan një temperaturë trupore prej 41,5 gradë Celsius dhe hipertermi të rëndë. Përkundër ndërhyrjes mjekësore, të dy pacientët ndërruan jetë.
Ekspertët meteorologjikë parashikojnë një ndryshim të kushteve atmosferike në ditët në vijim. Pas temperaturave rekord të shënuara, pritet ardhja e stuhive, të cilat do t'i rikthejnë temperaturat në nivele sezonale. Autoritetet kanë paralajmëruar se, për shkak të energjisë së madhe termike të akumuluar, ekziston rreziku i stuhive të shoqëruara me breshër intensiv.