Eksperti i kibernetikës Halil Berisha ka kritikuar një pjesë të mediave për rolin e tyre në përhapjen e keqinformimit. Në një postim në Facebook, ai ka theksuar nevojën që qytetarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe skeptikë ndaj gjithçkaje që shohin online, veçanërisht kur përmbajtja është sensacionale, frikësuese ose e pazakontë.
Sipas Berishës, një imazh i një "fantazme" të krijuar me Inteligjencë Artificiale u shpërnda me shpejtësi ditët e fundit dhe u mor si i vërtetë jo vetëm nga qytetarë të zakonshëm, por edhe nga shumë media. U bë lajm i madh jo sepse kishte rëndësi reale, por sepse solli klikime, shikime dhe reagime, shumë më tepër sesa shumica e lajmeve të përditshme të prodhuara nga vetë redaksitë. Kjo nuk është rastësi. Është dëshmi se një pjesë e mediave, nga prijëse të informimit publik, janë shndërruar në prijëse të keqinformimit, shpesh pa verifikim minimal dhe pa përgjegjësi profesionale.
Berisha thekson se kjo "fantazmë" nuk shkaktoi dëm serioz, frikësoi ose ngjalli kureshtje tek disa persona, por asgjë më shumë. Megjithatë, ajo zbuloi diçka shumë më të rrezikshme: kombinimi i Inteligjencës Artificiale, moskujdesit dhe paditurisë së disa mediave, si dhe shpërndarjes masive nga qytetarët në rrjete sociale, krijon një terren ideal që aktorë keqdashës, përfshirë armiq të vendit, ta shfrytëzojnë për të krijuar panik, përhapur mjegull informative, nxitur përçarje, madje edhe trazira. Sot ishte një "fantazmë", e nesër mund të jetë një incident, krizë apo një kërcënim sigurie i fabrikuar.
Në epokën e AI-së, verifikimi i informacionit është domosdoshmëri. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qytetarët, por sidomos mbi mediat. Berisha vlerëson se ky rast duhet të shërbejë si mësim, jo si subjekt humori në internet.