Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar ndaj raportimeve në disa media për një të ashtuquajtur fantazmë që pretendohet se shëtitet në rrugët e Kosovës, duke i cilësuar ato si të pasakta. Sipas KMShK-së, këto përmbajtje janë të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale dhe nuk bazohen në fakte reale. Institucioni ka pranuar shqetësime nga qytetarët, të cilat kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në opinion.
KMShK u bën thirrje mediave të tregojnë kujdes të shtuar në raportim, të verifikojnë çdo përmbajtje para publikimit dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të pavërtetuara, veçanërisht ato që mund të nxisin panik ose dezinformim. Reagimi thekson se raportimet duhet të jenë të sakta, profesionale dhe në përputhje me Kodin e Etikës së Gazetarisë. Përgjegjësia mediatike është thelbësore për informimin korrekt të qytetarëve dhe ruajtjen e besimit të publikut, sipas deklaratës së KMShK-së.
Në lidhje me këtë çështje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë ankesë ose informatë zyrtare nga qytetarët deri më tani. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Kryeqytetit, Enis Pllana, deklaroi se policia mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ai inkurajoi qytetarët të raportojnë çdo shqetësim ose dyshim përmes numrave zyrtarë ose stacioneve policore, duke garantuar se çdo informacion do të trajtohet me seriozitet. Policia është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me qytetarët për të parandaluar ose ndriçuar raste të ngjashme.