Galeria e Arteve në Prishtinë, në bashkëpunim me platformën qytetare Liria Ka Emër, do të hapë më 8 shtator 2026 ekspozitën e titulluar Ditari i një fotografi të luftës. Autori i këtyre punimeve është fotografi Visar Kryeziu. Ekspozita synon të pasqyrojë përmes fotografisë dëshmi, kujtime dhe momente të rëndësishme nga lufta e Kosovës, duke theksuar sakrificën për liri.
Kjo nismë vjen si një nderim për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç karakterit historik, ekspozita përcjell mesazhe mbështetjeje për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen aktualisht në Hagë.
Hapja zyrtare e ekspozitës është planifikuar për datën 8 shtator, në orën 19:00, në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Kjo ngjarje është pjesë e një sërë aktivitetesh që po organizohen në prag të Marshit për Liri, i cili do të zhvillohet më 12 shtator në Prishtinë, si shenjë solidariteti me luftën çlirimtare dhe drejtuesit e UÇK-së.