Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 4 mars 2026 ekstradimin e shtetasit të Maqedonisë së Veriut me inicialet B.L. nga Republika e Kosovës për në Maqedoninë e Veriut.
Personi ishte arrestuar nga autoritetet kosovare, pasi kërkohej nga Interpoli me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për veprën penale "Vrasje". Ai dyshohej se i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi u realizua në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor bën të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo për të parandaluar, hetuar dhe zbuluar aktivitetet kriminale, si dhe për të gjurmuar, kapur dhe arrestuar personat dhe grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe garantimin e sundimit të ligjit.