Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal-Kir, ku trupi i Aleksandër Koçekut u gjet i pajetë brenda automjetit të tij. Forca të shumta të Policisë së Shtetit mbërritën në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave, ndërsa dyshohet se vrasja mund të ketë motiv hakmarrjen lidhur me ekzekutimin e Pavlin Prekës, i cili u vra me 26 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re. Për vrasjen e Prekës, aktualisht në burg ndodhen Vasel Koçeku, vëllai i viktimës së sotme, dhe Klaudio Lisaj.
Hetimet e mëparshme kishin ngritur dyshime edhe për përfshirjen e Aleksandër Koçekut në ngjarjen e ndodhur në vitin 2025. Sipas informacioneve të policisë, vrasja e Pavlin Prekës kishte si shkak një konflikt të gjatë, lidhur me ngacmimet dhe këmbënguljen e viktimës për t'u lidhur me vajzën e Vasel Koçekut. Autoritetet vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjes së mbrëmshme dhe kapjen e autorëve.
Përditësime
Hetimet për vrasjen e Aleksandër Koçekut në Prekal kanë zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes. Sipas provave të mbledhura, atentati ishte i mirëorganizuar, me automjetin e viktimës të goditur nga breshëri plumbash. Hetuesit kanë identifikuar si shkak kryesor të krimit një konflikt të nisur në vitin 2022, lidhur me një fejesë të parakohshme. Sipas dëshmive të familjarëve, viktima jetonte prej kohësh nën kërcënimin e gjakmarrjes. Në lidhje me ekzekutimin, grupi hetimor ka sqaruar rolet e autorëve: Klaudio Lisaj akuzohet se e nxori viktimën nga banesa, ndërsa Vasel Koçeku dyshohet si autori që qëlloi për vdekje me armë zjarri.