Elliot Andersoni, mesfushori 23-vjeçar i Nottingham Forest, raportohet se ka vendosur për të ardhmen e tij, duke u lidhur me një kalim te Manchester City.
Ai u largua nga Newcastle United drejt Nottingham Forest në verën e vitit 2024, për një shumë prej 35 milionë paund. Që nga atëherë, ka luajtur 78 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola. Këtë sezon 2025/2026, ka regjistruar 2 gola dhe 3 asistime në 37 paraqitje në të gjitha garat.
Më herët këtë javë, Andersoni shënoi gol në Etihad Stadium, duke siguruar barazimin 2-2 të Forest kundër Manchester Cityt, skuadër pretendente për titull. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e trajnerit të kombëtares angleze, Thomas Tuchel, i cili e ka përfshirë në grumbullimet e fundit ndërkombëtare.
Sipas stacionit talkSPORT, klube të ndryshme angleze po e monitorojnë dhe po përpiqen ta bindin të largohet nga City Ground. Manchester City raportohet se është gati të rrisë interesin, duke e parë Andersonin si zëvendësues potencial të Rodri, i cili lidhet me një rikthim në Spanjë. Përveç Cityt, interes duket se kanë edhe Manchester United dhe Liverpool.
Gazetari i futbollit Sebastien Vidal shkruan në rrjetet sociale: "Më është thënë se Elliot Anderson, i vlerësuar rreth 90 milionë paund, mund të ketë tashmë destinacionin e ardhshëm në mendje. Pavarësisht interesit të Liverpoolit për të forcuar mesfushën, ylli i Nottingham Forest besohet se po shkon drejt Manchester Cityt". Foresti ka vendosur çmimin prej 90 milionë paund për 23-vjeçarin.
Sa i përket të ardhmes, Andersoni deklaroi muajin e kaluar: "Tani për tani po fokusohem vetëm te futbolli im, duke dhënë gjithçka për Nottingham Forestin. Kjo është gjithçka që më shqetëson. Janë qenë dy vite të mëdha. Mendoj se kam bërë mjaft mirë këtu, brenda dhe jashtë fushës, dhe kam maturuar edhe si person".